Kobe Bryant – super ylli i veçantë i gjeneratës

Basketboll 27 Janar 2020 18:48

Leart Hoxha

Të jesh në NBA nuk është aspak punë e lehtë, por është status i veçantë, i rezervuar për basketbollistët më të mirë të ndonjë ekipi në ligën më të mirë në botë.

Por, të jesh super yll i Los Angeles Lakers është tjetër çka, ajo nënkupton të jesh yll në qytetin e Hollivudit, yll në ekipin që ka trashëgiminë më të lavdishme në NBA dhe super yll i përmasave globale pavarësisht rezultateve që ka ekipi.

Në trashëgiminë e Lakers përfshihen George Mikan, Kareem Abdul Jabbar, Magic Johnson, Shaquille O’Neal, edhe emra të tjerë të mëdhenj të ligës NBA. Por, ndër ta Kobe Bryant është i veçantë.

Si biri i një basketbollisti amerikan, që kishte luajtur në Evropë, në mungesë të sukseseit në NBA, Kobe e kaloi një pjesë të jetës së tij në Milano dhe për të ishte e qartë që nga fillimi se do të merrej me sport.

Mbase pikërisht kjo periudhë në Evropë, ose thjesht talenti i tij i jashtëzaonshëm, e kanë bërë Bryantin të veçantë, të ndryshëm nga super yjet e Amerikës, disi më të pranueshëm për pjesën tjetër të botës.

Për ata që besojnë në statistika dhe në idenë se numrat nuk rrejnë – le të merren me këta numra: Kobe është pesë herë kampion i ligës NBA, dy herë MVP i finaleve, njeri që ka shënuar 33 mijë pikë, 18 herë All Star lojtar, një herë MVP, fitues i garës së ngulitjeve dhe kjo listë e sukseseve vazhdon. Në fakt, është ndër më impresivet në histori të basketbollit.

Por, për ata që besojnë se statistika është si bikini – zbulon gjithçka por fsheh më të rëndësishmet, madhështia e Kobet ilustrohet përtej fakteve.

Nëse përjashtohet Kevin Garnett, Kobe është super ylli i parë që ka kalar në NBA direkt nga shkolla e mesme. Se cila ka qenë perspektiva e një tinejxheri që merr përsipër të luajë në Lakers dhe të bëjë historinë me këtë ekip, sot është një nga temat e pashmangshme të trajtimit, kur bëhet fjalë për figurën e këtij lojtari.

Për dallim nga shumica e lojtarëve të mëdhenj të NBA-it, Kobe ka qenë i fundit i gjeneratës që ka luajtur 20 vjet për vetëm një ekip. Besnikësi kjo, më shumë tipike për yjet e futbollit në Evropë, sesa për yjet e basketbollit në Amerikë.

Përgjatë këtyre 20 vjetëve Bryant ishte bashkë me Shaquille O Nealin në ekip që fitoi tituj dhe kur bashkë me trajnerin Phil Jackson fitoi edhe dy tituj pasi O Neal shkoi nga ekipi, statusi i Kobet si legjendë e basketbollit ishte i “vulosur”.

Kobe Bryant ka qenë super ylli i gjeneratës, edhe pse mund të mos ketë qenë gjithnjë lojtari më i mirë.
Por, Bryant ka qenë super ylli që e trashëgoi Michael Jordanin si brendi më i fuqishëm në basketbollin botëror dhe njeriu që u pasua nag LeBron James.

Statistikat në shumë kategori Koben e vendosin midis Jordanit dhe LeBronit dhe ka shumë analistë që tentojnë t’a gjejnë vendin e saktë në listat e më të mëdhenjve.

Por, ka shumë më shumë tifozë të basketbollit, të cilët ose janë rritur me posterët dhe videot e tij, ose kanë përcjellur të mahnitur veprimet e tij. Tek ky grup i njerëzve, emri i Kobe Bryantit, gjithë ajo që ai ka sjellë në fushë dhe jashtë saj, tashmë është i pashlyeshëm.

Përjetim edhe më i veçantë ka qenë të shikohet madhështia e tij nga afër. Falë sponsorimit nga Marigona Hill pata rastin që Bryantin ta përcjelli nga afër dhe atë në Kinë, në Kupën e botës, verën e kaluar, ku Insporti ishte i vetmi medium nga Kosova.

Afërsia e tij me gazetarë dhe vënia e madhështisë së tij në shërbim të madhëstisë së basketbollit si sport global, flisnin për karakterin e Kobet po aq sa edhe shënimet e tij dhe veprimet impresive në fushë.

-->