Këtu humb kuptimin çdo gjë – situata është jonormale

Futboll 01 Shkurt 2020 13:13

Leart Hoxha

Ti sqarojmë fillimisht disa gjëra: Postimet në facebook, parimisht paraqesin qëndrime personale të personave publikë ose privatë , qofshin ata edhe gazetarë ose zyrtarë të klubeve, por  jo qëndrime të redaksive ose klubeve/institucioneve ku ata punojnë, ose që i përfaqësojnë në komunikimet tjera publike.

Së këndejmi, me dy postime në këtë rrjet social, që tashmë u bënë virale, nuk do të duhej të merresha fare.

Por, situata është e tillë, që “akterë” janë dy “yje” të futbollit të Kosovës, shumë të preferuar për media, për arsye që nuk kanë lidhje me karrierat e tyre futbollistike.

Qeqa Krelani – gazetare dhe komentatore e mediumit publik, shumë e famshme për komentet e saj jashtë këtij mediumi, madje kryesisht në rrjete sociale dhe Arsim Kabashi, Kryetar i KF Ballkanit, që si shumë Kryetarë në Kosovë, preferon të quhet President, një biznesmen i suksesshëm, i cili u shndërrua në figurë mediale në saje të angazhimit në futboll.

Komenti i Qeqës për Kryetarët e klubeve, mund të jetë me vend ose jo. Nuk e kam ndër mend të merrem me këtë temë sepse nuk kam kohë të shkruaj shkurt për të.

Besoj që brenda komentit të Qeqës mund të kuptohet shumë çka për nivelin e njohurive të saj për futboll, nivelin e njohurive të saj të gjuhës shqipe, nivelin e njohurive në gazetari, kurse ata që e lexojnë më me vëmendje, mund të nxjerrin edhe konkluzione tjera.

Nga komenti i Kabashit po ashtu mund të kuptohet niveli i edukatës së tij, seksizmit në kulturën e tij, e për analiza tjera, le të merren ata që kanë kohë më shumë se unë.

 

Faktori i tretë në krejt këtë mesele, përveç dy protagonistëve janë mediat, ose edhe më keq, faqet në rrjete sociale, që “jetojnë” nga facebooku dhe bëjnë lajme nga postimet e huaja, pa lëvizur b… nga zyra asnjëri nga gazetarët.

Kjo qasje ka sjellë deformime trupore tek gazetarët, që po duken më të kërrusur dhe më mbipeshë dita-ditës, por edhe deformime profesionale në zanat, sepse po i shkelim disa norme të profesionit dita – ditës.

Kjo situatë tashmë është jonormale.

-->